Refluksi Veziko-Uretral, shkak për problemet me veshkat

Nëse prindërit nuk dëshirojnë t’i japin profilaksi antibiotike për kohë të gjatë fëmijëve të tyre ose fëmijët nuk arrijnë dot të marrin antibiotikun për kohë të gjatë, vendoset të trajtohet refluksi me endoskopi!

Refluksi veziko-uretral përshkruhet si kthimi i urinës mbrapa nga fshikëza urinare në veshka. Duke ndodhur një fenomen i tillë, te pacienti shkaktohen infeksione urinare me temperaturë të lartë, e për rrjedhojë kemi ulje dhe dëmtim të funksionit renal. Prek kryesisht moshat pediatrike, ndërkohë që shpeshtësia arrin 1 në 100 fëmijë, megjithatë nuk përjashtohen dhe moshat e rritura. Evisa Zhapa, mjeke kirurge urologe, shpjegon në mënyrë të detajuar se çfarë e shkakton një patologji të tillë, simptomat shoqëruese dhe llojet e trajtimit.

Çfarë është refluksi veziko-uretral?

Normalisht fluksi i urinës rrjedh nga veshkat nëpërmjet uretereve në drejtim të vezikës dhe nuk duhet të ndodhë e kundërta. Pra, refluksi veziko-ureteral është kthimi i fluksit urinar nga vezika nëpërmjet uretereve në drejtim të veshkave. Duke ndodhur ky fenomen mund të shkaktojë infeksione urinare me temperaturë të lartë, që ndryshe i quajmë pielonefrite, sepse janë infeksione që prekin veshkat dhe shkaktojnë cikatrice në veshka duke i dëmtuar ato dhe duke rritur mundësinë për të reduktuar funksionin e veshkave.

Sa shpesh haset kjo patologji dhe cila është mosha që preket më shumë?

Është patologji e shpeshtë e moshave pediatrike që arrin 1% të fëmijë, pra 1 në 100 fëmijë mund të ketë refluks veziko-ureteral, zakonisht refluks primar. Por është shumë i lartë propabiliteti që fëmijë që shfaqin infeksione urinare me temperaturë të lartë të kenë refluks veziko-urinar, që arrin deri në 30-40%. Është më i shpeshtë te djemtë sesa te vajzat. Mund të shfaqet edhe tek adultët (të rriturit) dhe në këtë  rast me shpesh është refluks sekondar (dytësor).

Çfarë e shkakton atë?

Shkaqet kryesore të refluksit primar janë kongenitale (të lindura) si rrjedhojë e keqformimit të valvulës veziko-ureterale, ose të refluksit sekondar. Janë patologji të vezikës, si: hipertrofi e muskulit detrusor (vezikal), diskoordinim detruzoro –sfinterial, hipertrofi prostate ose stenoz (ngushtim) uretre.

Me çfarë simptomash shoqërohet?

Simptomat kryesore janë infeksionet urinare me temperaturë të lartë, djegie gjatë urinimit, urinime të shpeshta etj.

Si vendoset diagnoza dhe cilat janë ekzaminimet që duhen kryer? 

Diagnostikimi bazohet në kryerjen e analizave të  urinës dhe urokulturës, ekografi renale e vezikale. Por analiza bazë që vërteton nëse ka refluks ose jo është CISTOGRAFIA, gjithashtu diagnostikon gradën e refluksit, që mund të jetë gradë e ulët ose e lartë.

Cilat janë komplikacionet më të rënda që shkakton?

Insuficenca renale, pra dëmtimi i veshkave i pakthyeshëm, i cili sjell reduktim të funksionit normal të veshkave, për shkak të cikatriceve që shkaktohen në veshkë nga infeksionet.

Lidhur me trajtimin, kur përdoret kirurgjia dhe kur trajtimi me ilaçe?

Në fëmijët e diagnostikuar me refluks, sidomos me refluks të gradës së lartë jepet një dozë e vogël antibiotiku në ditë, zakonisht sa gjysma ose një e treta e dozës së plotë, vazhdimisht për disa muaj ose vitet e para të jetës. Nëse pacientët kanë infeksione urinare me temperaturë të lartë edhe pasi janë duke marrë rregullisht profilaksinë antibiotike, trajtimi bazohet tek korrigjimi me endoskopi i refluksit duke rindërtuar atë valvulën veziko-ureterale që nuk funksionon mirë. Gjithashtu, nëse prindërit nuk dëshirojnë t’i japin profilaksi antibiotike për kohë të gjatë fëmijëve të tyre ose fëmijët nuk arrijnë dot të marrin antibiotikun për kohë të gjatë, vendoset të trajtohet refluksi me endoskopi. Aktualisht mund të trajtohen me endoskopi të gjitha llojet e reflukseve, gradë e ulët ose e lartë. Në rastet kur endoskopia falimenton ose kur ka refluks të shoqëruar me bllokimet e derdhjes së urinës nga veshkat drejt vezikës (obstruksion uretero-vezikal) trajtimi bazoht e kirurgjitë hapur ose ndryshe në reimplant ureteral në vezikë.

A janë këta persona më të rrezikuar për probleme me veshkat edhe pas trajtimit?

Pas trajtimit, nëse trajtimi ka qenë i suksesshëm dhe refluksi përpara trajtimit nuk ka sjellë në dëme permanente të veshkave, këta persona nuk kanë rrezik për probleme të rëndësishme me veshkat. Por gjëja më e rëndësishme është të evitohen infeksionet urinare me temperaturë të lartë, për të ruajtur në maksimum veshkat.

Probleme të tjera urologjike të shpeshta tek fëmijët? 

Disa probleme urologjike të fëmijëve janë fimoza e kriptorkidizmi që janë probleme mashkullore. Ose hidronefrozat, prezenca e kalkulozave (gurëve) në veshka, keqformimet e organeve gjenitaleve të jashtme (hipospadi), eneurezë nokturne (urinim gjatë natës), vezikë neurogene.

Për të rezervuar një vizitë me Dr. Evisa Zhapa kontakto ne numrin 0682053180 / info@salus.al

TË TJERA

Kirurgjia e tiroides

👨‍⚕️Në Salus kryhen kirurgjitë e tiroides dhe trajtohen patologjitë e saj si kanceri dhe sëmundjet beninje të saj, sipas incikacionit të mjekut endokrinolog.▶️Komplacionet më të

Lexo më shumë »

Rezonanca Magnetike

REZONANCA MAGNETIKE ARTIKOLARE (pa kontrast) për pjesën e shtyllës kurrizore, shpatullës, këmbës, dhe gjurit! Prej vitesh pacientet zgjedhin spitalin Salus për të kryer ekzaminimin e

Lexo më shumë »