Në stinën e verës, gjatë frekuentimit të plazheve dhe pishinave shqetësimet më të shpeshta që hasen janë infeksionet dhe myku në lëkurë. Personat e prekur nga këto infeksione, duhet të shmangin frekuentimin e plazheve dhe pishinave deri në shërimin e tyre, kjo jo vetëm që të mos përkeqësojnë situatën dhe të parandalojnë komplikacionet e këtyre patologjive, por pakësojnë edhe rrezikun e përhapjes së këtyre patologjive tek individët e tjerë. Frekuentimi i plazheve publike apo pishinave dhe ndotja në këto ambiente janë arsyeja kryesore e shfaqjes së këtyre patologjive.
Kontakti i drejtpërdrejtë mikrobet patogjene që ndodhen në ujin e detit e të pishinave, rërë apo shezlone shoqërohet me rritje të rrezikut për shfaqjen e këtyre problemeve ne lëkurë.
Kur duhet të drejtohemi tek mjeku?
Rekomandohet që të drejtoheni menjëherë tek mjeku spacialist, sapo shfaqen elementët e parë të sëmundjes në lëkurë, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i sëmundjes, përhapja, dhe të shmangen komplikacionet.
A shërohen këto patologji plotësisht?
Nëse këto sëmundje kapen dhe trajtohen në kohë, mund të kurohen mjaft mirë brenda pak ditësh. Por nëse nuk eliminohen agjentët shkaktarë dhe nuk ruhet një higjienë e mirë, atëherë sëmundja mund të rishfaqet, të ri-akutizohet dhe të kërkojë trajtim nga e para.