Forma dhe pozicioni i veshëve ndikojnë më shumë sesa mendohet në balancën e fytyrës dhe në mënyrën si një person percepton veten. Veshët e “dale” apo deformimet e ndryshme mund të bëhen shkak për pasiguri, sidomos që në fëmijëri, duke ndikuar në vetëbesim. Për shumë persona, ky shqetësim vazhdon edhe në moshë madhore, duke i bërë të ndihen jo komodë me pamjen e tyre.
Otoplastika, ose e thënë ndryshe rimodelimi i veshëve është procedura estetike që mundëson korrigjimin e formës, madhësisë ose pozicionit të veshëve, duke krijuar një pamje më natyrale dhe harmonike me fytyrën. Ndërhyrja realizohet me teknika moderne kirurgjikale dhe ka si qëllim të afrojë veshët më pranë kokës ose të korrigjojë asimetritë dhe deformimet ekzistuese, pa ndikuar në funksionin e dëgjimit.
ÇFARË DUHET TË KENI PARASYSH?
Çdo rast trajtohet në mënyrë individuale, pasi forma e veshëve dhe nevojat estetike ndryshojnë nga një pacient tek tjetri. Në disa raste korrigjohen të dy veshët për të ruajtur simetrinë, ndërsa në raste të tjera ndërhyrja mund të kryhet vetëm në njërin vesh.
SI REALIZOHET NDËRHYRJA?
Përpara operacionit kryhen ekzaminimet dhe konsultat e nevojshme për të garantuar sigurinë maksimale të pacientit. Otoplastika mund të kryhet me anestezi lokale ose totale, në varësi të moshës dhe preferencës së pacientit.
Ndërhyrja zgjat mesatarisht 1 – 1.5 orë dhe prerjet realizohen në pjesën e pasme të veshit, duke bërë që shenjat të mbeten pothuajse të padukshme pas shërimit. Pas operacionit, pacienti zakonisht qëndron vetëm disa orë në spital dhe rikthehet shpejt në aktivitetet e përditshme.
Ënjtjet dhe skuqjet e lehta janë normale gjatë ditëve të para dhe largohen gradualisht brenda 1–2 javësh. Për një rezultat optimal rekomandohet mbajtja e fashës mbrojtëse sipas udhëzimeve të kirurgut.