Disa informacione për Kancerin e Qafës së mitrës nga Instituti i Shëndetit Publik:
Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një femre dhe është kanceri i dytë më i zakonshëm te femrat, veçanërisht në vendet në zhvillim.
❓NGA SE SHKAKTOHET?
Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane – HPV, një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 e 18 të HPV-së, njihen si lloje me rrezik të lartë kancershkaktues të kancerit të qafës së mitrës te gratë.
⚠️Çdo grua mund të jetë në rrezik për kancer të qafës së mitrës, por një femër është më e rrezikuar për t’u prekur nëse: ka filluar herët marrëdhënien e parë seksuale, ka partnerë seksual të shumtë, ka partnerë të cilët kanë apo kanë patur shumë partnere seksuale, ka apo ka patur një infeksion seksualisht të transmetueshëm, përdor në mënyrë abuzive duhanin apo ka imunitet të ulët.
❓ÇFARË SHENJASH KA KANCERI I QAFËS SË MITRËS?
Shumica e infeksioneve nga HPV nuk kanë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Kur shfaqen shenjat mund të përfshijnë: gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual, etj. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.
✅Pothuajse çdo rast me kancer të qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet depistimit/kontrrollit dhe vaksinimit.
✅Depistimi/kontrolli për kancerin e qafës së mitrës është testimi për të kapur fazat parakanceroze dhe kancerin te gratë, të cilat akoma nuk kanë simptoma dhe mund të ndihen të shëndetshme dhe gjithashtu kur trajtimi ka një mundësi të lartë për shërim. Aktualisht janë në dispozicion disa lloje testesh depistuese: Pap testi, kontrolli pamor me acid acetik/VIA, testimi për HPV me rrezik të lartë, si dhe kolposkopia.
✅ÇFARË ËSHTË PAP TESTI?
Pap testi është një test tradicional depistues, i shpejtë, i thjeshtë, jo i dhimbshëm, zgjat vetëm pak minuta, por mund të shpëtojë jetën e një femre.
✅PO TESTIMI PËR HPV ÇFARË ËSHTË?
Testimi për HPV është metodë testimi që bazohet në zbulimin e ADN-së së HPV me rrezik të lartë në mostrat vaginale ose të qafës së mitrës. Në testimin për HPV, merret një mostër qelizash duke futur në vaginë një furçë të vogël.
Testimi për HPV rekomandohet për çdo grua duke filluar nga mosha 30 vjeç. Por, edhe pse kanceri i qafës së mitrës është i rrallë para moshës 30 vjeç, depistimi mund të bëhet dhe te gratë më të reja se 30 vjeç nëse vihet re rrezik i lartë.
✅ÇFARË ËSHTË VAKSINA KUNDËR HPV-SË?
Vaksinimi kundër HPV-së redukton në masë të konsiderueshme rrezikun për kancer të qafës së mitrës. Studimet tregojnë se vaksinat janë të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e infeksionit me HPV nëse aplikohen para ekspozimit të HPV-së.
Kontakto departamentin e gjinekologjisë ne Salus: 0682053180 / www.salus.al / #gjinekologjia#hpv#cervikalcancer#mjekegjinekologe